Manchester United po kalon një nga sezonet më zhgënjyes në historinë e tij, por kjo nuk e pengon klubin anglez të projektojë një të ardhme të lavdishme.
“Djajtë e Kuq” zbuluan projektin për “Pallatin e ri të Ëndrrave”, më saktë stadiumin e ri, që do të ndërtohet në të njëjtin vend ku prej 115 vitesh qëndron mitiku “Old Traford”.
Impianti i ri do të kushtojë 2 miliard paund, ndërsa do të ketë një kapacitet prej 100 mijë vendesh, duke e bërë atë stadiumin më madh në Angli dhe të dytin më të madh në botë pas “Camp Nou” të Barcelonës, që është në fazën finale të rikonstruksionit dhe do të ketë një kapacitet prej 105 mijë vendesh.
Ky projekt do të vihet në jetë në prëfundim të këtij sezoni, kur si fillim do të prishet “Old Traford” ekzistues dhe më pas do të fillojë ndërtimi i impiantit të ri, që do të jetë gati në vitin 2030.
Projektimi është bërë nga studio arkitekturore “Fosters and Partners”, e njëjta që projektoi stadiumin e Lusail, që priti finalen e “Botërorit 2022”.
“Pallati i ri i Ëndrrave” të Manchester United pritet të kthehet në një atraksion për të gjithë qytetin. Qeveria angleze ka marrë përsipër investimet rreth impiantit si dhe të ndryshojë linjat e brendëshme urbane.
Sipas studimit, ai do të presë më shumë se 1.8 milion vizitorë në vit, ndërsa ka potencial të gjenerojë të ardhura që arrijnë vlerën 7.3 miliard paund.