Ozempic dhe përdorimi i tij për dobësim: Çfarë duhet ditur?

- Advertisement -

Ozempic-u, apo semaglutidi, një ilaç i shpikur për trajtimin e sëmundjes së sheqerit – diabetit, po përdoret gjithnjë e më shumë edhe për humbje peshe.

Ky përdorim i ilaçit për qëllime të tjera nga ato për të cilat është miratuar ka ngritur pyetje të shumta, se a është ai një zgjidhje e sigurt për dobësim, apo një trend me rreziqe të fshehura?

Në Kosovë, sipas raportimeve të mediave dhe mjekëve, përdorimi i Ozempic-ut për humbje peshe është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, shpesh edhe nga persona që nuk vuajnë nga diabeti apo obeziteti.

Endokrinologu Genc Shala thotë në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë se ky ilaç, i efektshëm për pacientët me diabet, jo vetëm që ul nivelin e sheqerit në gjak, por ndikon edhe në reduktimin e ndjenjës së urisë.

“Është një bar shumë i mirë dhe shumë efektiv, i cili fillimisht është përdorur për diabetin, por më vonë është vërejtur edhe efekti në humbjen e peshës”, tregon Shala.

Megjithatë, ai thekson se përdorimi i Ozempic-ut për humbje peshe nuk është i përshtatshëm për të gjithë.

Mjeku thotë se ilaçi duhet të përshkruhet vetëm në raste të caktuara, kryesisht tek personat me obezitet të shkallës së lartë, ose me sëmundje shoqëruese, si diabeti apo problemet kardiovaskulare.

“Ka kritere të qarta mjekësore. Nuk mund të përdoret pse i keni 3-4 kilogramë më shumë”, shpjegon ai.

Në të kundërtën, nëse Ozempic-u merret pa recetë dhe pa kontrolle mjekësore, sipas Shalës rrezikohet shkaktimi i efekteve anësore, deri tek kanceri i gjëndrës tiroide.

“Pa kontroll mjekësor mund të shfaqen efekte si të vjella, dehidrim dhe probleme me veshkat. Kemi pasur raste që kanë përfunduar në hospitalizim”, tregon Shala.

Endokrinologu rikujton se mënyra më e shëndetshme për humbje peshe mbetet ndryshimi i stilit të jetesës: ushqyerja e balancuar, aktiviteti fizik dhe gjumi i rregullt.

“Trajtimi me ilaçe është opsioni i fundit. Fillimisht duhet të ndryshohet mënyra e ushqyerjes, gjumi dhe aktiviteti fizik”, thotë ai.

Pavarësisht kësaj, Shala nuk e mohon efektivitetin e ilaçit kur përdoret siç duhet.

Ai thekson se problemi nuk është vetë Ozempic-u, por mënyra se si përdoret./REL

Të ngjashme

Të fundit