Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë të diel në të gjitha komunat e Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Osmani theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe me integritet të plotë, si themel i demokracisë dhe i besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.
Në këtë takim, Osmani vuri theks të veçantë tek ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila sipas saj po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës.
“Me këtë rast, Presidentja dënoi ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar, duke bërë thirrje për angazhim të plotë në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor. Ajo gjithashtu u bëri apel të gjithë akterëve politikë dhe institucionalë, si dhe atyre ndërkombëtarë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt të jashtëligjshëm që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Presidenca.