19.3 C
New York
Wednesday, November 6, 2024

Buy now

Osmani pret që Ukraina të marrë vendim “të guximshëm” për Kosovën

- Advertisement -

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret që Ukraina ta marrë një vendim “të guximshëm” për themelimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën, gjatë një fjalimi në rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës në Prishtinë të premten vonë.

Duke folur në këtë ngjarje, të organizuar më 25 gusht nga ambasadat e huaja në Prishtinë për shënimin e përvjetorit të 32-të të pavarësisë së Ukrainës, Osmani tha se mbështetja e Kosovës për Ukrainën “është parimore dhe orientohet nga vlerat e rrënjosura thellë në themelet e shtetit tonë sovran”.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.

“Presim që Ukraina do ta kthejë mbështetjen kah Kosova si shtet i pavarur dhe sovran dhe një aleate e natyrshme në këtë rajon. Lufta i ka përafruar popujt tanë dhe tashmë është koha për vendime të guximshme për themelimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”, tha Osmani.

Ukraina e shënoi dje 32-vjetorin e Pavarësisë, midis luftës agresore të pushtuesit rus, të cilën Moska e nisi në shkurt 2022. Si pasojë e luftës në Ukrainë kanë vdekur mijëra persona, janë zhvendosur miliona të tjerë dhe dëmet materiale sa shkojnë e rriten.

Kosova i ka strehuar dhjetëra gazetarë ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Osmani tha, po ashtu, se “Kosova, fatkeqësisht, është shfrytëzuar shpesh nga narrativi i lidershipin rus për ta arsyetuar sulmin e tyre për luftën në Ukrainë.”

Në fund të korrikut, Qeveria e Kosovës e miratoi pakon e 11-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë lidhur me luftën në Ukrainë, të propozuar nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë (MPJD).

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tha më 8 gusht se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Megjithatë, Tolkach theksoi se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshueshëm, për shkak se çështja e “krijimit dhe zbatimit të politikës së jashtme në përputhje me legjislacionin ukrainas i takon presidentit të Ukrainës”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit