Kandidatja për presidente nga lista e LDK-së, Vjosa Osmani, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe besimin e dhënë gjatë procesit zgjedhor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani shprehu mirënjohjen për çdo votë, fjalë inkurajuese dhe mbështetje të marrë gjatë fushatës, duke theksuar se gjatë muajve të fundit ajo dhe ekipi i saj kanë pasur mundësinë të takojnë mijëra qytetarë në mbarë Kosovën.
Ajo tha se nga këto takime kanë dëgjuar shqetësimet, ëndrrat dhe shpresat e qytetarëve për një Kosovë më të zhvilluar, më të integruar dhe më të bashkuar, duke shtuar se kjo shpresë ka qenë forca kryesore e angazhimit të tyre.
“Ndihemi mirënjohës për secilin prej jush që besoi se politika mund të jetë dinjitoze, se debati mund të jetë i civilizuar dhe se e ardhmja mund të ndërtohet mbi vlera, dije dhe përgjegjësi.
Faleminderit të rinjve që na dhanë energji, grave që na dhanë forcë, mërgatës që nuk e harroi atdheun dhe çdo qytetari që doli në votime duke besuar në demokraci. Ky rezultat nuk është fundi i një gare. Është vazhdimi i një misioni. Një mision për t’i shërbyer Kosovës me përkushtim, me ndershmëri dhe me respekt për secilin qytetar, pa dallim”, ka shkruar Osmani, njofton Klankosova.tv.
Duke folur për angazhimin e saj në këto zgjedhje, Osmani tha se ka marrë pjesë me synimin për të ndihmuar në ringritjen e LDK-së dhe për të kontribuar në krijimin e institucioneve të reja.
Ajo ritheksoi se emri i saj nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë për formimin e institucioneve.
“Në këto zgjedhje kam marrë pjesë me qëllim që të ndihmoj në ringritjen e LDK-së dhe për t’i dhënë vendit mundësi te riktheje balansat demokratike e të krijojë institucionet sa më parë. Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracine, kushtetutën dhe aleancat. Rruga vazhdon. Bashkë”, përfundoi ajo.
Postimi i plotë:






