Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se UÇK-ja, sipas saj, mbetet pjesë e rëndësishme e historisë moderne të popullit të Kosovës.
“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka përmendur viktimat e luftës në Kosovë, duke theksuar se, sipas saj, krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës ende nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga drejtësia ndërkombëtare.
“Populli i Kosovës u ngrit pikërisht kundër këtyre krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre”, ka shkruar ajo.
Osmani ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë ta mbrojë atë që e cilëson si drejtësinë e luftës çlirimtare.
“Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët”, ka përfunduar Osmani.






