Ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se tani nuk është në garë për kreun e Lidhjes Demokratike e Kosovës, por në garë për forcimin dhe rritjen e saj në terren.
E pyetur nëse ka ambicie për të udhëhequr LDK-në, Osmani tha se fokusi i saj është vetëm te rritja e partisë dhe bindja e qytetarëve përmes takimeve të vazhdueshme në terren.
“Unë jam në garë me rrit LDK-në, jam në garë me bind qytetarët e Kosovës…”, ka deklaruar ajo, duke theksuar se prej zgjedhjeve të 7 qershorit nuk i ka ndalur takimet me qytetarët.
Ajo shtoi se LDK duhet të fokusohet në rritje dhe bashkim të brendshëm, jo në përçarje, duke theksuar nevojën për bashkëpunim edhe me kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku.
Osmani tha se qëllimi duhet të jetë fuqizimi i Republikës së Kosovës në këtë periudhë të ndjeshme politike.
“Po e shoh shumë qartë se ne duhet me punu me i rrit radhët tona jo me i zvogëlu jo me luftu njëri-tjetrin edhe në këtë drejtim do të punojmë bashkë edhe me Lumirin edhe me të tjerët që kanë qëndrime të ndryshme por jam e bindur që në një moment të caktuar do ta kuptojnë që fuqizimi i Republikës sonë në këto momente delikate duhet të jetë prioritet”, ka deklaruar ajo.






