Në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd është mbajtur ceremonia përkujtimore për ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i cili vdiq në Hagë derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime lufte.
Megjithëse Mlladiqi ishte dënuar përfundimisht për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë rrethimin e Sarajevës, në fillim të ceremonisë mori pjesë edhe ministri aktual i Drejtësisë në Serbi, Nenad Vujiq, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Para hyrjes së ndërtesës së Shtëpisë së Ushtrisë, në dy radhë, ishin të pranishëm dhjetëra persona që prisnin të hynin. Grupe njerëzish ishin të pranishme edhe në parkun përballë, disa prej të cilëve ishin të veshur me uniforma ushtarake.
Përveç familjarëve, në ceremoninë përkujtimore morën pjesë edhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska, si dhe qytetarë që e respektojnë Mlladiqin dhe mohojnë krimet e rënda për të cilat ai u dënua.
Mbështetësit, të cilët thanë se kishin ardhur për t’i bërë nderimet, kryesisht ishin të veshur me të zeza, ndërsa disa kishin veshur bluza me portretin e Mlladiqit dhe mbishkrimin “hero”.
Në hyrje të ndërtesës kishte turmë, pasi jo të gjithë mundën të hynin, ndërsa një grup ishte sjellë me autobus nga Bosnje e Hercegovina. Në mesin e të pranishmëve ishin invalidë të luftës, veteranë nga Republika Sërpska, si dhe politikanë. Mbështetësit e Mlladiqit para Shtëpisë së Ushtrisë kryesisht nuk pranuan të flisnin me gazetarët.
Në fillim të ceremonisë, ku mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, foli gjeneral-koloneli në pension Branko Kërga, i cili ishte komandant brigade në kohën kur edhe Mlladiqi shërbente në atë periudhë. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Radan Ostoiq, ministër i Punës dhe i Mbrojtjes së të Drejtave të Veteranëve dhe Invalidëve të Republikës Sërpska.
Ratko Mlladiq, komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska gjatë luftës, më 8 qershor 2021 u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm nga Mekanizmi për Tribunalet Penale Ndërkombëtare në Hagë, pasardhës i Tribunalit të Hagës. Ai u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë rrethimin e Sarajevës.






