Ish-presidenti Behgjet Pacolli ka kritikuar ashpër pretendimet e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me hapjen e 75 mijë vendeve të reja të punës gjatë qeverisjes së tij, duke i quajtur ato “mashtruese” dhe “fyerje” për qytetarët që po përballen me një ekonomi të stagnuar.
“Si dikush që ka krijuar me sukses mijëra vende pune në Kosovë(mbi 5 mije)dhe globalisht( mbi 20 mije)unë e kuptoj se çfarë duhet me të vërtetë për të nxitur punësimin dhe për të ndërtuar një fuqi punëtore të fuqishme. Pretendimi i kryeministrit Albin Kurti për hapjen e më shumë se 70,000 vendeve të punës është jo vetëm mashtrues, por edhe ofendim për popullin e Kosovës që po lufton çdo ditë në një ekonomi që po tkurret dhe nuk po rritet.” – tha ai.
Ai theksoi tendencën shqetësuese të mbylljes së bizneseve dhe eksodit të madh të fuqisë punëtore të kualifikuar nga vendi, të cilin ai e sheh si simptoma të një krize më të gjerë strukturore në ekonomi.
“Në realitet, nën qeverisjen e Albin Kurtit, kemi qenë dëshmitarë të një “mbylljeje” alarmante të bizneseve dhe një “eksodi” të rrezikshëm të fuqisë punëtore të kualifikuar nga Kosova. Ky eksod i talenteve po krijon një problem strukturor afatgjatë për ekonominë, duke lënë pas më pak mundësi dhe një fuqi punëtore më pak konkurruese.” – tha Pacolli.
Ai ka sfiduar Kurtin të tregojë politikat që kamë çuar në hapjen e vendeve të punës në çdo sektor të ekonomisë.
“Unë e sfidoj Kryeministrin Kurti të shpjegojë qartë se cila industri ka përfituar nga udhëheqja dhe politikat e tij dhe ka çuar në vende të reja pune.” – tha ai më tej.