Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar ndaj Ministrisë së Drejtësisë për një vendim që ka suspenduar nga puna përmbaruesin privat Irfan Kërçagu.
Nga kjo odë thonë se ky veprim në sy të komunitetit të biznesit paraqet një pasiguri juridike për arsye se kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në proceset gjyqësore të pavarura të cilat janë thelbësore për funksionimin e sistemit të ligjit i cili është element bazë i një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes në Kosovë.
“Oda Ekonomike e Kosovës si organizatë profesionale më e madhe në Kosovë kërkon që të mos ketë ndërhyrje të tilla në sistemin gjyqësor të pavarur, për arsye se një ndërhyrje e tillë, jo vetëm që cenon parimin themelor të pavarësisë së gjyqësorit, por gjithashtu e vë në rrezik besimin e investitorëve të huaj dhe vendor për të investuar në Republikën e Kosovës”, thuhet në kumtesë.
“Për më shumë, ky veprim paraqet një precedent të rrezikshëm për t’u përsëritur edhe në të ardhmen.
Andaj, bëjmë thirrje për një rikthim të menjëhershëm të respektimit të gjyqësorit që është jetik që institucionet e shtetit të demonstrojnë një angazhim të qartë ndaj parimeve të sundimit të ligjit dhe të mbështesin një mjedis të të bërit biznes ku bizneset mund të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme”.
Sikurse OEK ka reaguar edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovës që thotë se veprimi I ministrisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu përbën një shembull shqetësues të ndërhyrjes në proceset e pavarura gjyqësore të Kosovës.