Oda e Avokatëve të Kosovës shpreh shqetësim serioz për vonesat në trajtimin e ankesave për paraburgim

- Advertisement -

Oda e Avokatëve të Kosovës shpreh shqetësimin serioz lidhur me vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve me të cilat caktohet apo vazhdohet masa e paraburgimit.

Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar afate të qarta dhe imperative për trajtimin e këtyre rasteve, pikërisht për shkak se bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor. Megjithatë, në praktikë vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.

Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak. Vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme.

Oda e Avokatëve të Kosovës konsideron se respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk paraqet vetëm obligim procedural, por garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin real të mjeteve juridike.

Prandaj, Oda e Avokatëve të Kosovës u bën thirrje institucioneve gjyqësore kompetente që trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë.

Të ngjashme

Të fundit