Federata e Futbollit e Norvegjisë planifikon të abstenojë në votimin për t’ia dhënë Arabisë Saudite të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2034 në futboll. Vendimi pritet të merret të mërkurën, ndërsa në Federatën norvegjeze thonë se FIFA ka bërë fare pak për të mbrojtur të drejtat e njeriut rreth turneut.
“Udhëzimet e vetë FIFA-s për të drejtat e njeriut dhe kujdesin e duhur gjithashtu nuk janë integruar në mënyrë adekuate në proces. Kështu është rritur rreziku për shkeljen e të drejtave të njeriut”, ka thënë të martën në një deklaratë presidentja e Federatës norvegjeze të futbollit, Lise Klaveness.
211 federatat anëtare të FIFA-s do të mbajnë të mërkurën një takim “online” për të konfirmuar vendimin për t’ia dhënë Arabisë Saudite të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2034. Ndërkohë Botërori 2030 do t’i besohet një projekti që përfshin gjashtë vende, të udhëhequr nga Spanja, Portugalia dhe Maroku. Ndeshjet do të luhen në tri kontinente të ndryshme.
“Votimi i së mërkurës nuk ka të bëjë me atë se kush do të organizojë Kupën e Botës 2030 dhe 2034. Kjo tashmë është vendosur”, ka thënë Klaveness, duke shtuar se miratimi i FIFA-s pa një analizë të detajuar “nuk përputhet me parimet e një sistemi të shëndoshë dhe të parashikueshëm të qeverisjes”.
FIFA i dha formë garës për organizim të Botërorëve, kur vitin e kaluar lejoi vetëm nga një ofertë për secilën prej dy ngjarjeve. Federata Ndërkombëtare e Futbollit dhe presidenti i saj, Gianni Infantino, vazhduan të forconin lidhjet financiare dhe politike me Arabinë Saudite.
Arabia Saudite ka një plan madhor për stadiumet, hotelet dhe transportin në Kupën e Botës, i cili do të mbështetet në punën e emigrantëve. Kështu janë ngritur shqetësime se FIFA po lejon përsëritje të sfidave të mëdha dhe rasteve me fatalitet me të cilat u përballën punëtorët në Katar gjatë përgatitjeve për ta organizuar Botërorin 2022.
Norvegjia dhe Klaveness kanë bërë presion në FIFA edhe para atij Botërori.
Vlerësimi i brendshëm i FIFA-s e vlerësoi ofertën e Arabisë Saudite si një rrezik të lartë, megjithëse ceku “mundësinë e rëndësishme për ndikim pozitiv në të drejtat e njeriut”.
Federata e Futbollit e Zvicrës tha të martën se do të mbështesë vendimet e FIFA-s për Botërorët 2030 dhe 2034, por vuri në dukje disa paqartësi në pika të caktuara të strategjisë saudite për të mbrojtur të drejtat dhe liritë.
Në Federatën zvicerane besojnë se FIFA dhe Arabia Saudite kanë mësuar nga rasti i Katarit.