I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka mbërritur në Prishtinë për një vizitë dyditore.
Emisari Miroslav Lajçak pas takimit me zëvëndëskryeministrin Bislimi ka thënë se kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm.
“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të përcjellë takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”, ka thënë Ljaçak.
Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.
Të martën Lajçak do të ketë takime me krerët e partive opozitare në Kosovë. Takimi pritet të fillojë pas orës 10:00.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka akuzuar ndërmjetësuesin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.
Kurti pati thënë se Lajçak po punon për Serbinë.
Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti më 18 shtator tha se në rundin e fundit të dialogut, Lajcak është “pozicionuar” kundër Kosovës, duke shtuar se ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”.
Kurti kishte thënë se dukej një koordinim mes Vuçiqit dhe Lajçakut për krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.