Finlanda është zyrtarisht vendi më i lumtur në botë për të shtatin vit radhazi, kjo sipas raportit të fundit botëror për matjen e nivelit të lumturisë
Dy faktorë ndikojnë në këtë “trofe” të finlandezëve: niveli i lartë i besimit te shteti dhe institucionet dhe fokusi absolut tek ekuilibri punë-jetë.
Por, përtej këtij mentaliteti, duket se edhe në pjesën profesionale, ekzistojnë tre filozofi të suksesshme që finlandezët i përdorin më shpesh për t’u ndierë të motivuar dhe njëherësh të vlerësuar, shkruan CNBC.
1. Askush nuk lind profesionist
Në thelb, kjo shprehje thekson faktin që ka gjithmonë vend për të mësuar gjëra të reja, pasi askush nuk lind i ditur.
Ekspertët mendojnë se ndjekja e kësaj filozofie i shtyn njerëzit të besojnë më shumë në përmirësimin e aftësive. Pra, për finlandezët është në rregull të bësh gabime gjatë procesit të të mësuarit dhe punës në përgjithësi.
2. Të gjithë bashkë për të mirën e kompanisë
Punonjësit në Finlandë mund të kenë role dhe përgjegjësi të ndryshme në një kompani, por kur vjen puna te bashkëpunimi për një projekt apo ngjarje të rëndësishme, ata janë të gjithë bashkë si kontribuues të barabartë në këtë mision.
Pra, në kulturën finlandeze të punës, hierarkia është vetëm njëra anë e medaljes kur vjen puna te zhvillimi dhe suksesi në tërësi i kompanisë, citon Anabel.
3. Pavarësisht problemeve, duhet ecur përpara
Tingëllon si një shprehje klishe, sidomos në aspektin profesional ku ka afate për t’u përmbushur dhe detyra të ndryshme. Por, në Finlandë, filozofia e punës në kompanitë më të famshme, por edhe ato më të zakonshmet është të bërit e gjërave në grup dhe ecja përpara, pavarësisht problematikave që dalin rrugës.
Në këtë mënyrë, ju ecni përpara me planin, ndërsa të panjohurat dhe problemet nuk bëhen pengesë për përmbushjen e të gjitha objektivave të kompanisë.