Një “Champions i kombëtareve” që do të bëjë revolucion në Evropë, cila është ideja e re e UEFA-s?

- Advertisement -

Ditët dhe javët e ardhshme do të jenë vendimtare për riformësimin e futbollit ndërkombëtar ashtu siç e njohim.

Në fund të këtij muaji, do të nisë pauza e parë e dyfishtë ndërkombëtare në histori. Ndeshjet ndërkombëtare do të zhvillohen gjatë dy fundjavave në vend të njërës, ndërsa secila kombëtare do të luajë katër ndeshje në vend të dy të zakonshmeve për çdo dritare.

Kjo do të thotë se ligat vendore do të ndalen sërish për 15 ditë, por muaji tetor do të hiqet nga kalendari, duke lënë dy pauza ndërkombëtare para fundit të vitit në vend të tri të tillave.

FIFA e miratoi këtë ndryshim kur prezantoi kalendarin e saj të ri global.

Por kjo nuk është e gjitha.

Nesër në Selanik të Greqisë, UEFA do të njoftojë stadiumet pritëse për finalet e ardhshme evropiane – me finalen e Ligës së Kampionëve 2029 që do të zhvillohet në “Camp Nou” – dhe gjithashtu pritet të ratifikojë ndryshimet në formatin e Ligës së Kombeve dhe kualifikimeve për Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian nga viti 2028.

Do të miratohet modeli zviceran, duke ndjekur të njëjtin sistem që përdoret aktualisht në Ligën e Kampionëve – në thelb një ligë në të cilën skuadrat nuk luajnë të gjitha kundër njëra-tjetrës. Nga këndvështrimi i televizioneve dhe angazhimit të audiencës, formati ka rezultuar një sukses i madh në garën kryesore të klubeve në botë.

UEFA beson se sistemi aktual i kualifikimeve të kombëtareve është monoton, jo mjaftueshëm konkurrues dhe ofron shumë pak ndeshje për transmetuesit, paratë e të cilëve mbështesin marrëveshjet për të drejtat televizive.

Për këtë arsye, ajo do të krijojë një ligë me 36 kombëtare, ku do të përfshihen 36 ekipet më të mira kombëtare të Evropës.

Secila kombëtare do të luajë gjashtë ndeshje kundër kundërshtarëve me nivele të ndryshme, të përcaktuar nga tri vazo të renditjes në short, ndërsa ndeshjet do të ndahen mes atyre në shtëpi dhe jashtë saj. Me fjalë të tjera, formati do t’i ngjajë shumë atij të Ligës së Kampionëve.

Përfundimi i fazës së ligës së Ligës së Kampionëve ka funksionuar veçanërisht mirë, me diferenca të vogla në golavarazh që mund t’i ngjisin ose zbresin skuadrat disa vende në tabelë, ndërsa zhvillimi i njëkohshëm i ndeshjeve të xhiros së fundit ka krijuar një spektakël veçanërisht tërheqës për tifozët.

Ky ndryshim vjen gjithashtu në mes të betejës së vazhdueshme mes UEFA-s dhe FIFA-s për ndikim, me zgjedhjet në të dyja organizatat të planifikuara për vitin e ardhshëm. Theksimi i suksesit të garave tuaja është një mënyrë për të projektuar besim.

Liga e Kampionëve është pata e artë e UEFA-s. Tani ajo po përgatitet të krijojë një tjetër – një Ligë të Kampionëve për kombëtaret.

Të ngjashme

Të fundit