Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e priti me mjaft shqetësim propozimin e KEDS-it drejtuar ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, e me tejet shqetësim miratimin nga Qeveria të këtij propozimi.
Sipas BSPK, arsyetimi i KEDS-it se rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e ngritjes së çmimit të importit nuk mund të pranohet edhe po të jetë i saktë, dhe krejt kjo se popullata është shtrënguar plotësisht duke iu përkeqësuar gjendja ekonomike e sociale.
“Edhe të punësuarit, të cilët për shkak të moscaktimit të pagës minimale, po edhe pjesa tjetër e popullatës e cila varet nga ndihmat sociale e edhe tjetra që nuk ka punë e as ndihma sociale do të gjenden në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale me këtë veprim të pa analizuar e të pamatur mirë”, thuhet në komunikatën e BSPK, transmeton Scanner..
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i drejtohet partnerit të saj social – Qeverisë se ka bërë veprim të ngutshëm me miratimin e propozimit të këtillë, të propozimit të cilit është dashur t{i kushtohet kohë dhe t’i nënshtrohet analizës profesionale para se të miratohet.
Besojmë se Qeveria është e vetëdijshme se miratimi i sotëm do të sjellë deri te përkeqësimi dhe rëndimi i mëtejshëm i situatës ekonomike e sociale të qytetarit”, thuhet tutje në reagim.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh energji. /Scanner/