Kandidatja për deputete e PDK-së, Aida Dërguti, ka kotuar ngjarjet e djeshme në Skenderaj.
Ajo ka vlerësuar se kjo nuk është hera e parë që pushteti i VV-së njerëz të caktuar targeton dhe provokon me qëllim që të nxisin reagimin e tyre.
Në profilin e saj në Facebook, Dërguti ka shkruar se pushteti aktual qëllimisht po e provokon Sami Lushtakun.
“Mungesa e ligjit për vlerat e luftës, fatkeqësisht, detyron njerëzit që të marrin drejtësinë në duart e veta. Ngjarjet tronditëse si ato të djeshme në Skenderaj, nuk bën të përsëriten. Mirëpo, ka një praktikë të keqe gjatë kohës së zgjedhjeve dhe nuk është hera e parë, që njerëz të caktuar targetohen dhe nxirren në skenë, ngacmohen, provokohen, me qëllim që të nxisin reagimin e tyre, ndonëse ata nuk janë të përfshirë fare në garë. Njëri nga ta është Sami Lushtaku. Kjo lojë e ulët bëhet vetëm për përfitim të votave. Sami Lushtakun mund ta kritikosh për gjithçka tjetër, meqë është i angazhuar politikisht dhe mban post publik”, ka shkruar ajo, duke kërkuar që legjislatura e ardhshme të miratojë Ligjin për Vlerat e Luftës.
“Prandaj angazhimi politik e publik në të sotmen, nuk e përjashton askënd nga kritika dhe të qenurit i kritikueshëm. Mirëpo, ka një pikë ku njeriu nuk preket, aty ku i kontestohet vet qenia politike. Në kulmin e polarizimit politik me Serbinë, Samiu u përball me të në vijat e frontit. Gjatë luftës, Sami Lushtaku ka qenë në nivelin më të lartë të detyrës kombëtare, duke i shërbyer vendit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kurdo që do të shfaqej nevoja, do t’i përgjigjej thirrjes me të gjitha kapacitetet e tij. Prandaj, për të shmangur situatat e ngjashme, është urgjencë kombëtare, që të miratohet Ligji për Vlerat e Luftës, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të ardhshëm të Kosovës”, ka shkruar ajo.






