Banorët e lagjes Kolovica të Prishtinës u tronditën nga breshëri plumbash javën që e lam pas. Konflikti mes disa personave përfundoi me vrasjen e të riut Egzon Haziri dhe plagosjen e tre personave të tjerë. Në mesin e të plagosurve rëndë ishte edhe kalimtarja e rastit Zejnie Gashi 48-vjeçare, e cila u dërgua me urgjencë në QKUK por nuk arriti t’i bënte ballë plagëve të rënda dhe si pasojë u nda nga jeta në spital. Për tragjedinë e dyfishtë në kërkim policor ndodhen katër persona, vëllezërit Ahmet (Ali) Berisha dhe Naim (Ali) Berisha për “vrasje të rëndë” dhe Fitim (Skender) Doda dhe Arijan (Arif) Sijarina për “vrasje në tentativë”.
Lidhur me këtë rast, L.H., ndodhet në paraburgim. Në njoftimin e gjykatës u tha se të pandehurit L.H i është caktuar një muaj paraburgim për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit K.G dhe B.K, të cilët gjenden në arrati kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Prokuroria ka konfirmuar se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale.
Policia po kërkon ndihmë për arrestimin e personave të dyshuar për krimin në Kolovicë.
“Ndonëse janë ndërmarrë një sërë veprimesh nga ana e policisë, kërkimi i vazhdueshëm, bastisja e disa lokacioneve etj. personat e dyshuar vazhdojnë të ndodhen në arrati”, ka njoftuar policia. Andaj për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personave të dyshuar, qytetarët luten ta njoftojnë policinë.
Shefi i Klinikës së Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka, ka deklaruar se gruaja 48-vjeçe që nuk arriti t’i bëjë ballë plagëve ka pasur “dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë”. Ai ka thënë se “këto lëndime e kanë çuar pacienten në gjendje të shokut”. /Express/