Zvicra po përgatitet për një tjetër valë të fortë të të nxehtit, e cila pritet të nisë nga dita e nesërme dhe të zgjasë të paktën deri të hënën e ardhshme
Sipas meteorologut Mickhael Schwander nga MeteoSwiss, temperaturat maksimale pritet të arrijnë 38 deri në 39 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.
Aktualisht nuk është ende e qartë se sa do të zgjasë kjo periudhë me temperatura ekstreme, por MeteoSwiss nuk përjashton mundësinë e një kulmi të ri të vapës edhe në fund të javës.
Ndërkohë, për shkak të thatësirës së vazhdueshme, rreziku nga zjarret ka arritur nivelin më të lartë në disa rajone alpine dhe mbetet i lartë në pjesën më të madhe të Zvicrës.
Si masë parandaluese, autoritetet kanë ndaluar ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura në shumë kantone dhe po intensifikojnë masat për parandalimin e zjarreve, një strategji që deri tani ka ndihmuar në kufizimin e numrit të vatrave të zjarrit pavarësisht kushteve gjithnjë e më të nxehta.






