Nga kryeministrja e Danimarkës te yjet e Hollywood, kush janë personazhet që refuzuan kirurgjitë plastike

- Advertisement -

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, është përballur me një koment të pazakontë në Instagram, pasi një kirurg plastik i sugjeroi të ndërhynte në hundën e saj.

Pas kthimit nga një udhëtim i shkurtër në Ukrainë, Frederiksen vendosi të lexonte disa prej mesazheve që kishte marrë në rrjetet sociale. Mes tyre ishte edhe një mesazh nga një kirurg plastik, i cili pasi kishte parë fotografitë e saj, i shkroi se mund t’i “korrigjonte atë pjesën e vogël” në hundë.

Përgjigjja e kryeministres daneze ishte e drejtpërdrejtë: “Jam e kënaqur me trupin tim, sinqerisht, nuk kam nevojë për mendimin e një burri kirurg plastik”, i shkroi ajo.

Sipas raportimeve të mediave britanike, kjo nuk është hera e parë që Frederiksen merr komente të padëshiruara për pamjen e jashtme. Në rrjetet sociale, ajo është përballur ndër vite me mesazhe që kritikojnë dhëmbët, flokët apo hundën e saj dhe që i sugjerojnë trajtime estetike, Botox apo ndërhyrje kirurgjikale.

Por kryeministrja 48-vjeçare duket se nuk është e gatshme t’i nënshtrohet presionit për të ndryshuar pamjen e saj. Përkundrazi, ajo i përdor këto mesazhe si shembull të presionit që gratë përballojnë për t’iu përshtatur standardeve të caktuara të bukurisë.

Frederiksen ka deklaruar publikisht se ndihet mirë me trupin e saj dhe nuk e sheh moshën apo ndryshimet natyrore të pamjes si diçka që duhet patjetër të korrigjohet.

Yjet e Hollywood-it kanë refuzuar ndërhyrjet estetike

Kryeministrja daneze nuk është e vetmja figurë e njohur që ka zgjedhur të mos ndjekë presionin për një pamje gjithmonë të re.

Aktorja Rachel Ward, e njohur për rolin e saj në serialin “The Thorn Birds”, ka reaguar disa herë ndaj komenteve për plakjen dhe bukurinë, duke argumentuar se jeta ofron shumë më tepër sesa rinia dhe pamja fizike.

Edhe supermodelja Paulina Porizkova është shfaqur hapur kundër presionit për të fshehur shenjat e moshës. Ajo ka zgjedhur të mbajë flokët e thinjur natyrshëm dhe u është përgjigjur atyre që e këshillojnë të luftojë kalimin e viteve

Barbra Streisand, ndërkohë ka treguar në autobiografinë e saj se gjatë karrierës është këshilluar vazhdimisht të ndërhynte në hundë. Ajo nuk pranoi kurrë, jo vetëm sepse nuk e shqetësonte pamja e saj, por edhe sepse kishte frikë se një ndërhyrje mund të ndikonte në zërin e saj.

Në mesin e figurave të tjera publike që kanë folur kundër obsesionit me ndërhyrjet estetike janë Drew Barrymore, Emma Thompson, Meryl Streep, Julianne Moore, Julia Roberts, Kate Winslet dhe Halle Berry.

Një tjetër rast i njohur është ai i Pamela Anderson, e cila vitet e fundit ka zgjedhur të distancohet nga imazhi seksi që e bëri të famshme në mbarë botën.

Të ngjashme

Të fundit