Nga humbja e dhimbshme në finale tek përçarja e grupit dhe te largimi i tij i mundshëm, Scaloni i çel letrat

- Advertisement -

Lionel Scaloni e zgjodhi rrugën e elegancës dhe sportivitetit pas humbjes së Argjentinës në finalen e Kupës së Botës nga Spanja.

Trajneri i “Albiceleste”, në vend që të ushqente polemika për referimin apo të kërkonte justifikime, e pranoi me ndershmëri epërsinë e kundërshtarit dhe e vlerësoi paraqitjen e “La Rojas”, shkruan “Gazeta Express”.

I pyetur nëse gjyqtari ndikoi në humbjen 1-0 pas vazhdimeve, të vendosur nga goli i Ferran Torresit, Scaloni u përgjigj prerazi:

“Jo. Humbëm sepse ata ishin më të fortë. Duhet ta pranojmë këtë, luajtën më mirë se ne. Me shumë gjasa mbërritëm në këtë ndeshje me pak energji dhe kjo është e vërteta. Por ndonjëherë është e drejtë t’i pranosh meritat e kundërshtarit dhe besoj se kjo do të na bëjë një skuadër edhe më të mirë.”

Trajneri argjentinas nuk e fshehu zhgënjimin për rezultatin, por njëkohësisht e theksoi krenarinë për rrugëtimin e ekipit të tij në këtë Botëror.

“Nuk arritëm të fitojmë. E dimë sa e rëndësishme do të kishte qenë t’ia dhuronim një gëzim popullit tonë dhe për këtë arsye na dhemb. Por do të vazhdojmë të luftojmë.”

Natyrisht, nuk mungoi as pyetja për të ardhmen e tij në stolin e kombëtares, një temë që është bërë qendrore pas finales.

Megjithatë, Scaloni nuk deshi të jepte përgjigje të prerë.

“Janë diskutime normale pas një turneu të tillë. Është e pashmangshme të bëhen reflektime. Kontrata ime është e vlefshme deri në dhjetor. Por gjëja më e rëndësishme është kombëtarja, jo kush e drejton atë, qoftë unë apo dikush tjetër.”

Më tej, trajneri 48-vjeçar u shpreh i kënaqur me shpirtin luftarak të futbollistëve të tij.

“Jam mirë. E di që ky grup dha gjithçka deri në minutën e fundit dhe ky është aspekti më i rëndësishëm që e marrim me vete. Na dhemb që nuk arritëm t’i bënim tifozët tanë të lumtur. Ne luajmë për ta dhe për familjet tona, dhe lamë gjithçka në fushë.”

Në fund, Scaloni i hodhi poshtë me ironi zërat për tensione brenda kombëtares argjentinase dhe teoritë që qarkulluan në rrjetet sociale para finales, përfshirë edhe ato që e lidhnin Lionel Messin me një fjalim motivues në dhomat e zhveshjes.

Fillimisht ai u përgjigj: “Nuk e di, djema. Unë nuk i shoh rrjetet sociale, nuk i kam fare.”

Kur gazetarët këmbëngulën duke folur për presione dhe përçarje të mundshme në skuadër, Scaloni e mbylli çështjen me një përgjigje të prerë: “Nuk mund ta besoj që po ma bëni këtë pyetje.”

Një mënyrë elegante për ta mohuar çdo zë që fliste për përçarje dhe për të ritheksuar se grupi i Argjentinës mbeti i bashkuar edhe pas zhgënjimit në finalen e Kupës së Botës.

Të ngjashme

Të fundit