Nga 60 deri në 100 euro, ekzekutohen paratë për librat

- Advertisement -

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore për vitin shkollor 2026/2027 dhe ka ekzekutuar mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1-9.

Sipas njoftimit të MASh, mjetet janë transferuar në llogaritë e prindërve përfitues, ndërsa procesi i aplikimit për subvencionim ka nisur më 27 korrik përmes platformës eKosova.

Aplikimet e prindërve dhe kujdestarëve ligjorë janë verifikuar fillimisht nga koordinatorët e autorizuar në shkolla, ndërsa listat përfundimtare janë shqyrtuar nga komisioni përkatës i Ministrisë së Arsimit dhe më pas i janë dërguar Ministrisë së Financave për realizimin e pagesave.

MASh ka bërë të ditur se pas negociatave me shtëpitë botuese është përcaktuar katalogu zyrtar me çmimet finale të teksteve shkollore. Çmimet e përcaktuara në këtë katalog janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.

Vlera e subvencionimit për tekstet shkollore në gjuhën shqipe është përcaktuar sipas klasave:

Klasat 1 dhe 2 – 60 euro
Klasa 3 – 65 euro
Klasa 4 – 70 euro
Klasa 5 – 80 euro
Klasat 6 dhe 7 – 90 euro
Klasat 8 dhe 9 – 100 euro

Ministria ka njoftuar se me publikimin e katalogut, prindërit mund të fillojnë blerjen e teksteve shkollore, duke kërkuar që të kontrollojnë çmimet sipas listës zyrtare të publikuar nga MASh.

Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit do të nisë monitorimin e pikave të shitjes për të verifikuar respektimin e çmimeve të përcaktuara. Pas fillimit të vitit të ri shkollor, inspektorët do të kryejnë kontrolle në shkolla për të parë nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore.

Sistemi i aplikimit në eKosova do të mbetet i hapur edhe për nxënësit që ende nuk janë regjistruar në klasën e parë, si dhe për prindërit që nuk kanë arritur të aplikojnë për subvencionim.

MASh ka bërë thirrje që çdo rast i mospërputhjes së çmimeve në librari me ato të katalogut zyrtar të raportohet në numrat e publikuar nga ministria

Të ngjashme

Të fundit