“Nga 10 në 5 ose 3”, KQZ-ja i rekomandon Kuvendit uljen e votës preferenciale për deputet

- Advertisement -

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i ka dërguar një shkresë kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në të cilën përfshihet rekomandimi për uljen e numrit të votave preferenciale për kandidatët për deputetë. Ky propozim vjen në kuadër të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Çështja u ngrit gjatë mbledhjes së KQZ-së, ku anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, deklaroi se nuk kishte dijeni për ekzistencën e një shkresë të tillë.

Në reagimin e tij, Radoniqi konfirmoi se dokumenti është dërguar pa konsultim paraprak me anëtarët e tjerë të KQZ-së, duke nxitur kështu diskutime lidhur me procedurat e ndjekura dhe transparencën brenda institucionit.

Rekomandimi për uljen e votave preferenciale pritet të jetë pjesë e debatit më të gjerë për reformën zgjedhore në Kosovë, ndërsa mbetet të shihet se si do të trajtohet nga Kuvendi në fazat e ardhshme të shqyrtimit të ligjit.

“Shkresën për kryetaren e Kuvendit të Kosovës e kam dërgu të premten. Është e vërtetë që nuk e kam konsultu me ju, është gabimi im, kërkoj falje. Ne i kemi të miratuara rekomandimet për ndryshimet ligjore, duke përfshi edhe këtë rekomandim. Kur e kam diskutu me Sekretariatin e KQZ-së javën e kaluar, ka qenë kërkesë nga ta që nëse shkojmë në zgjedhje, një çështje e tillë do ta lehtësonte punën. Rekomandimi është që vota preferenciale të ulët në 5 ose 3. Po, nuk e kam konsultu me ju, kam bërë gabim por nuk është diçka që nuk kemi pas dakordim”, deklaroi ai gjatë mbledhjes transmeton Klankosova.tv.

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë reaguar lidhur me rekomandimet e fundit që pritet t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës në kuadër të ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Anëtari i KQZ-së nga AAK, Muharrem Nitaj, theksoi se propozime të tilla duhet të kalojnë përmes një procesi të rregullt konsultimi. Ai vuri në dukje se ndryshimi i ligjit kërkon procedura më të ndërlikuara dhe votim me dy të tretat e deputetëve në Kuvend, gjë që sipas tij është vështirë e arritshme.

“Propozimi për me ndryshu qoftë edhe një pikë të vetme e kërkon një procedurë më të komplikuar. Një rekomandim i tillë për ndryshim-plotësim të ligjit kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, gjë që pothuajse është e pamundur. Edhe kjo çështje që u pranua se nuk është konsultuar, do të duhej të bëhej në konsultim”, deklaroi Nitaj

Të ngjashme

Të fundit