Newcastle United ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane për herë të parë që nga sezoni 2002/03.
Skuadra e drejtuar nga Eddie Howe ka siguruar një vend në top-katërshe të Premierligë, që i siguron atyre pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, shkruan Gazeta Express.
Ajo çfarë ka mbetur që të përcaktohet është se si do të kualifikohet Newcastle në garën më prestigjioze për klube, nga pozita e tretë apo e katërt.
Sonte, në ndeshjen e vlefshme për javën e 37-të dhe të parafundit, “Magpies” luajtën baras dhe pa gola me Leicester Cityn. Ndeshja u zhvillua në “St. James’ Park”.
Newcastle United pas këtij barazimi ka 70 pikë dhe renditet i treti në tabelë, me një pikë më shumë se Manchester United, si dhe me katër pikë më shumë se Liverpooli.
Leicester City ka 31 pikë dhe ndodhet në pozitën e 18-të. Për “Dhelprat” xhiro e ardhshme dhe e fundit në Premierligë do të jetë vendimtare për të parë nëse do ta sigurojnë mbijetesën ose jo. /Express/