Takimi pritet të fokusohet në disa çështje kyçe, përfshirë situatën në Gaza, programin bërthamor të Iranit, tarifat tregtare, marrëdhëniet me Turqinë, kthimin e pengjeve izraelite dhe qëndrimin ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
“NPR” dhe “Axios” raportojnë se takimi u vendos në mënyrë të papritur, duke befasuar jo vetëm zyrtarët izraelitë por edhe disa përfaqësues të administratës amerikane.
Ky takim e bën Netanyahun liderin e parë të huaj që kërkon rinegocimin e marrëveshjeve tregtare pas vendimit të administratës Trump për të vendosur tarifa globale që kanë tronditur tregjet financiare. Vetëm gjatë javës së kaluar, këto zhvillime kanë shkaktuar humbje me vlerë 5 trilionë dollarë në indeksin S&P, përmes një rënieje rekord të aksioneve.
Pavarësisht përpjekjeve të Izraelit për të parandaluar ndikimin e tarifave, përfshirë heqjen paraprake të detyrimeve për pjesën e mbetur të mallrave amerikane, administrata Trump vijoi me masën e re, duke sjell në vëmendje deficitin tregtar me Izraelin.
Aktualisht, ShBA është partneri më i madh tregtar i Izraelit dhe aleati më i ngushtë strategjik, me 98 për qind të mallrave amerikane që importohen pa taksa në bazë të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë të nënshkruar rreth katër dekada më parë.
Një zyrtar nga Ministria izraelite e Financave ka shprehur shqetësimin se tarifat e reja mund të ndikojnë veçanërisht në sektorët e eksportit të makinerive dhe pajisjeve mjekësore.