Nesër ndalet përkohësisht ngrohja në Prishtinë, Termokos tregon arsyen

- Advertisement -

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar se furnizimi me ngrohje do të ndërpritet përkohësisht në orët e para të së shtunës, për shkak të ndaljes së kontrolluar të njësisë B2 të TC “Kosova B”.

Në njoftim bëhet e ditur se, kjo ndalesë do të pamundësojë furnizimin me avull për prodhimin e energjisë ngrohëse.

Gjatë kësaj periudhe, ngrohja do të vazhdojë të ofrohet vetëm për klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes ngrohtores që mbulon nevojat e kësaj qendre.

“Termokos” ka bërë të ditur se ndërprerja do të shfrytëzohet për të adresuar vështirësitë e paraqitura në qarkullimin e ngrohjes gjatë ditëve të para të këtij sezoni ngrohës.

Ndërmarrja ka njoftuar se do të jetë në koordinim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për rikthimin e furnizimit me avull.

“Sapo të krijohen kushtet e nevojshme, do të ndërmerren të gjitha veprimet për rikthimin e furnizimit me ngrohje për të gjithë konsumatorët. NP “Termokos” kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe i falënderon për durimin gjatë kësaj ndërprerjeje të përkohshme”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme

Të fundit