9.5 C
New York
Wednesday, October 28, 2026

Buy now

“Nëse nuk përmirësohet dhe më pas të miratohet ligji, do ketë protesta” Çlirim Haziri thotë se s’ka çka protestohet para PDK-së, UÇK-ja është e Kosovës

- Advertisement -

Çlirim Haziri, organizator i protestave të mëhershme në mbrojtje të çlirimtarëve me moton “Liria ka emër”, ka paralajmëruar se do të ketë protesta nëse Ligji për Dhomat e Specializuara nuk hidhet për rishikim dhe nënshkruhet për të hyrë në fuqi.

Pra ndryshe nga kërkesa fillestare që Ligji për Specialen të votohej e të miratohej, tani Haziri njësoj si PDK kërkon rishikim.

Tingëllon paksa e çuditshme, por njeriu i protestave nga ku kërkohej ky miratim, e që dokumentet e këtij Projektligji para se të miratohej i dorëzonte personalisht në objektin e Qeverisë së Kosovës, bashkë me një uniformë të UÇK-së tani thotë se ky Ligj duhet rishikuar.

Në një prononcim për lajmi.net, Haziri ka thënë se është i gatshëm të presë përmirësimin e ligjit, nëse vlerësohet nga ana juridike se ka nevojë për ndryshime, por ka theksuar se kjo çështje nuk duhet të zvarritet pafundësisht.

Ai ka insistuar se kjo nuk është kauzë partiake, por institucionale dhe kombëtare, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës i përket vendit dhe se do ketë protesta në shesh nëse nuk përfundohet çështja e ligjit.

“Unë kam kërkuar me e përmirësu ligjin. Mendoj që kemi nevojë me prit një përmirësim të ligjit vetëm nëse e kanë vlerësuar juridikisht se duhet me e përmirësu, po e presim për me u përmirësu por gjithsesi nuk kena me leju me u zvarrit kjo deri në pafundësi edhe po presim me u përmirësu nëse duhet me u përmirësu edhe me u votu e nënshkru që ligji me hy në fuqi në të kundërtën unë e kam thënë nga fillimi që e ruajmë të drejtën tonë me protestu nëse nuk votohet gjithsesi do të ketë protesta”,deklaroi ai.

I pyetur nëse parashihet që ndonjë protestë nga ana e tyre të organizohet para zyrave të partive politike, më saktësisht para PDK-së që i kërkoi presidentes kthimin e këtij ligji- ai tha se kjo nuk është temë partiake.

“Kjo nuk është temë partiake, ne nuk kemi protestuar para partive që e kanë votuar ligjin e as nuk protestojmë para partive të cilat tentojnë me e përmirësu ligjin. Kjo nuk është kauzë partiake, Kosova ka institucionet, nuk kem punë me partitë politike por kem punë me institucionet e Kosovës. Përgjegjësia është institucionale është kauzë e Kosovës, jo e partive. UÇK-ja është e Kosovës”, tha Haziri për lajmi.net.

Në një prej deklarimeve të tij gjatë protestës, Çlirim Haziri i drejtohej Albin Kurtit si kryeministër, me kërkesë urgjente. “Kryeministër, në atë tavolinë ti nuk e ke thjesht një projektligj, nuk është udhëzim administrativ, nuk është rregullore e zakonshme: atë që ke mbi tavolinë është dinjiteti i këtij shteti, është gjaku, është sakrifica jonë”.

Ai e pati ashpërsuar edhe gjuhën ndaj të tjerëve.

“Një muaj i keni afat që të përfundojë si proces në kuvend” dhe shtoi se nëse fjalët dhe kërkesat paqësore nuk dëgjohen, qytetarët do të detyrohen të gjejnë mënyra të tjera për t’u dëgjuar”, pati thënë Haziri.

E krejt këto deklarime u “harruan”, pasi reagimet pas vendosjes për kthimin e Ligjit për Specialen nuk u bën më. Madje edhe vetë protestuesit më pas thanë se u ndjenë të tradhtuar nga mënyra se si organizoheshin, bënin thirrje, rrezikonin e në fund mbetën të tërhequr nga kjo kërkesë.

Megjithatë, mënyra e organizimit të protestave dhe mesazhet e përcjella gjatë tyre kanë nxitur reagime nga figura politike.  Shumë prej tyre deklaronin se protesta ishte e organizuar nga PDK-ja dhe se ishin më pas pikërisht ata që kërkuan rikthimin e ligjit.

Ndër kritikët ishte edhe Dejona Mihali, e cila e quajti Hazirin “piun të Sami Lushtakut” dhe e akuzoi se po e shfrytëzon emrin e babait të tij, dëshmorit Xhavit Haziri, për interesa të një krahu të PDK-së.

Kritika ndaj Hazirit pati edhe për mënyrën se si u organizuan protestat, përfshirë vërejtjet se ato po merrnin pamje të tubimeve partiake dhe se incidentet e ndodhura gjatë tyre po e largonin vëmendjen nga kauza për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Çlirim Haziri është djali i veprimtarit dhe dëshmorit të kombit, Xhavit Haziri. Ai ka qenë organizator i protestave të mëhershme në mbrojtje të çlirimtarëve dhe për çështjen e Ligjit për Specialen.

Të ngjashme

Të fundit