Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për emërimet nëpër institucione dhe ambasada, të njerëzve të lidhur me partinë në pushtet, apo të familjarëve të tyre.
Në DPT te Fidani në Klan Kosova, Hoxha ka thënë se pikërisht VV-ja ka kundërshtuar praktikat e tilla, derisa sot sipas saj, po ndodh krejtësisht e kundërta.
“VV-ja ka ardhur në pushtet me flamurin që nuk ka nepotizëm, nuk ka korrupsion. Kontratat njëburimore janë korruptive. Edhe nepotizmi është korrupsion. Nuk po amnistojë asgjë nga e kaluara. Por, përpara ka qenë komplet kontekst tjetër. Nga 2008-ta e deri më tash, a e din sa studenti ka dalë…dhe ti sot një çikë të re, që ende 1 vit nuk i ka bë në ministri…po e çon një çikë të re për ta bërë njeriun e dytë në ambasadë. Derisa, ti ke plot në rend që kanë bagazh.”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka thënë se veprime të tilla ndikojnë te të rinjtë që shkollohen e presin të punësohen në institucione mbi baza meritore.
“Kjo është kur t’ia prenë ëndrrat secilit të ri, që nuk e ka ministrin dajë, apo familjar. Familjarët sot i ke nëpër ministr, institucione dhe ambasada.”, ka deklaruar Hoxha.






