9.8 C
New York
Monday, December 9, 2024

Buy now

Nënshkruhet Deklarata kundër dhunës ndaj grave në politikë në Kosovë

- Advertisement -

Nën udhëheqjen e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës dhe mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, u nënshkrua sot në Prishtinë dokumenti zyrtar i Deklaratës kundër dhunës ndaj grave në politikë në Kosovë.

Nënshkrimit të këtij dokumenti i parapriu Konferenca kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe në jetën publike në Kosovë.

Në fjalën e saj të hapjes, Cornelia Taylor, Ushtruese e detyrës së Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, theksoi rëndësinë e konferencës dhe nënvizoi se kjo deklaratë adreson luftën kundër dhunës ndaj grave në fushën politike.

Ajo shprehu angazhimin për të mbrojtur të drejtat e grave dhe për të luftuar diskriminimin, duke siguruar mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së grave në jetën publike.

Taylor theksoi nevojën për të luftuar qëndrimet negative ndaj pjesëmarrjes së grave në politikë dhe për të promovuar angazhimin e tyre në këtë fushë.

Në fjalën e saj të hapjes, Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, theksoi se eliminimi i dhunës ndaj grave në politikë është një luftë e përbashkët e burrave dhe grave.

Duke e konsideruar dhunën si një problem serioz, nënkryetarja Bogujevci u shpreh se ajo duhet identifikuar dhe luftuar fuqishëm.

Nënkryetarja e Kuvendit theksoi se “beteja për eliminimin e dhunës ndaj grave është një angazhim i përhershëm dhe kërkon bashkëpunim nga të gjitha palët, duke përfshirë mediat, shoqërinë civile dhe aktorët ndërkombëtarë”.

Ajo shpjegoi se dhuna ka pasoja komplekse dhe shumëdimensionale, që ndikojnë tek gratë, vajzat dhe madje edhe burrat.

Bogujevci kërkoi që përgjegjësia për dhunën të adresohet drejt abuzuesve dhe jo viktimave dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh nga burrat në parandalimin e dhunës ndaj grave.

Ndër të tjera, numri dy i Kuvendit nënvizoi rëndësinë e kësaj deklarate që, sipas saj, do të shërbejë si kornizë për veprime konkrete në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe theksoi nevojën për angazhimin e institucioneve dhe mekanizmave që të garantojnë reagim të shpejtë dhe të efektshëm. Ajo falënderoi Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetje dhe apeloi tek deputetët që ta nënshkruajnë dhe ta trajtojnë si testament.

Branka Boshnjak, ish-deputete e Parlamentit të Malit të Zi, theksoi përpjekjet e deputetëve në Mal të Zi për të avancuar pozitat e grave në politikë, duke punuar për një shoqëri më humane dhe të barabartë, pavarësisht ideologjive të ndryshme. Ajo theksoi unitetin dhe pjekurinë që ka karakterizuar punën e tyre, duke u ngritur mbi dallimet dhe duke u fokusuar në çështjet që i bashkojnë.

Ajo theksoi nevojën për një punë të vazhdueshme në Ballkan për emancipimin e grave dhe rritjen e ndërgjegjes kolektive.

Tutje, Vesna Paviçeviq, po ashtu, ish-deputete e Parlamentit të Malit të Zi, theksoi vështirësitë që gratë përballen sot, duke e pasur ende të ndarë rolin tradicional të tyre, si shtyllë e familjes. Ajo theksoi se me gjithë sukseset që gratë arrijnë në sfera të ndryshme, duke mbrojtur qëndrimet e tyre si kolegët burra, ato vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe cenim të integritetit të tyre, veçanërisht përmes mediave sociale.

Në panelin e moderuar nga Pascale Roussy, Drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, u zhvilluan diskutime me gratë deputete të Kuvendit të Kosovës mbi çështjet kryesore të Deklaratës për dhunën ndaj grave në politikë.

Deklarata kundër dhunës ndaj grave në politikë u mbështet nga deputetet e tjera të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm për të luftuar dhunën dhe për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave në politikë. “Si rrjedhojë, deputetet Ganimete Musliu, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Rrezarta Krasniqi, Duda Balje, Albana Bytyqi, Eliza Hoxha, Valentina Bunjaku dhe Fidan Jilta, pasuruan konferencën me qëndrimet e tyre konstruktive rreth pyetjeve të ngritura”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Sipas njoftimit, thuhet se qëndrimet ishin të ngjashme në lidhje me nevojën për të adresuar dhunën e pranishme, sidomos në rrjetet sociale dhe brenda strukturave politike, duke theksuar se ajo shpesh anashkalohet, por ka pasoja të rënda për gratë që angazhohen në politikë.

Nga GGD, u theksua se dhuna ndaj grave shpesh është e fshehur dhe edukimi i grave për t’u angazhuar në politikë është esencial për të krijuar një ambient të sigurt dhe mbështetës.

Njëkohësisht, u kërkua një angazhim i vazhdueshëm për edukimin dhe inkurajimin e grave të reja për të hyrë në politikë, si dhe për të siguruar një mjedis të përshtatshëm dhe mbështetës për to.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit