Ediela ishte e kobshme për familjen Arifi në Pogragjë të Gjilanit.
Remzi Arifi, 53-vjeçar po dyshohet se vrau të birin 29-vjeçar, për motive akoma të paqarta.
Plumbat në drejtim të të riut u shkrepën brenda shtëpisë së tyre.
Burime të afërta me familjen, në kushte anonimiteti, kanë dhënë detaje të rënda për rastin, por që Klankosova.tv nuk do t’i publikojë të gjitha, për shkak të ndjeshmërisë së ngjarjes.
Të njëjtit kanë bërë të ditur se djali u gjet nga nëna e tij, në njërën prej dhomave të shtëpisë, pasi dëgjoi krismat në momentin kritik.
Burrin e pa duke ikur, e trupin e fëmijës të mbuluar me qebe, raporton Klankosova.tv.
“Nëna e viktimës i ka dëgju dy krisma, e ka pa dorasin duke ikur me veturë të tipit Suzuk, kur ka hy brenda e ka gjet djalin të vrarë dhe të mbuluar me qebe”, tha ky burim për Klanin.
Policia ka bërë të ditur se në koordinim me Prokurorinë e Shtetit po punohet intensivisht për kapjen e autorit, vetura e të cilit, sipas burimeve të Klankosova.tv është gjetur në zonën e Sllubicës, fshati që shtrihet në pjesën jug-lindore të Komunës së Gjilanit.






