Në të gjitha xhamitë e Kosovës, gjatë hytbes së xhumasë, besimtarëve u është bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, në hytben e xhumasë së sotme është përcjellë mesazhi për pjesëmarrje në marshin e organizuar në shenjë solidariteti dhe përkrahjeje për ish-ushtarët e UÇK-së.
Myftiu Tërnava ka shprehur përkrahjen e tij për këtë nismë, duke e cilësuar marshin si një tubim qytetar në mbështetje të vlerave të lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit.
“Ky është një tubim qytetar në mbështetje të lirisë, drejtësisë, dinjitetit dhe kujtesës sonë kombëtare, si dhe në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së. Le të jemi të bashkuar, të qetë dhe dinjitozë. Le ta dëshmojmë se nuk harrojmë sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës dhe se kërkesa jonë është drejtësia dhe trajtimi i drejtë”, thuhet në mesazhin e përcjellë gjatë hytbes.
Marshi do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, ndërsa organizatorët e kanë paraqitur atë si një aktivitet solidarizimi me ish-krerët dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Kujtojmë se ditë më parë, Tërnava priti në takim përfaqësuesit e organizatës “Liria ka emër”, të kryesuar nga Eliza Hoxha. Gjatë këtij takimi, Myftiu Tërnava shprehu përkrahjen e tij për organizimin e marshit të 12 shtatorit.






