Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka falenderuar votuesit që mbështetën subjektin e tij politik. AAK u votua 66,256 herë në zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Insajderi.
“Kemi garuar me një vizion të qartë, atë të sigurisë, prej të cilit do të derivonin edhe siguria ekonomike dhe mirëqenia e qytetarit të Republikës së Kosovës. Tashmë jemi deklaruar se rezultatin e kemi pritur ndryshe, por kjo asnjëherë nuk do të thotë se harrojmë të ju jemi mirënjohës përzemërsisht 66 mijë e 256 votuesve të Aleancës. E dimë saktë se, sado që jemi në numër dhe përfaqësim, nuk do të rreshtim së punuari për një Kosovë të sigurt, të zhvilluar e të avancuar ndërkombëtarisht”, tha ai.