Në fund të gushtit nis rigjykimi ndaj Glauk Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

- Advertisement -

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 26 gushtin 2026 si datë për nisjen e rigjykimit ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, aktualisht ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarit G.K. për veprën penale Përdorim i armës dhe mjetit të rrezikshëm është caktuar të mbahet me datë 26 gusht 2026, duke filluar nga ora 9:30”, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi”, udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza.

Por, Gjykata e Apelit prishi vendimin e Themelores dhe ktheu rastin në rigjykim.

Ndryshe, në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Edita Çanta tha se Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” përcaktuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme

Të fundit