Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, ka komentuar deklaratat e pozitës dhe opozitës për zgjedhje të reja.
Ai ka treguar se cilat janë procedurat e shpërndarjes së Kuvendit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar në kur ishte në opozitë VV-ja nuk kërkonte shpërndarjen e Kuvendit siç po e kërkon tani, por rrëzimin e Qeverisë.
“Derisa asnjë legjislaturë nuk e ka përmbyllur mandatin e rregullt, Kuvendi i Kosovës deri më tani e ka shpërndarë veten vetëm një herë – në vitin 2014. Atë kohë, kërkesa e parashtruar nga PDK dhe LDK, ndërsa nuk ishte përkrahur vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Qëndrimi i LVV-së atëbotë ishte që nuk duhet të shpërndahet Kuvendi por të rrëzohet Qeveria, sepse shpërndarja e Kuvendit, përveç sabotim i Republikës, e shfajësonte ekzekutivin nga dështimet dhe përgjegjësia politike”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka treguar edhe për qëndrimin që LDK-ja kishte mbajtur në atë kohë.
“Ndërsa, qëndrimi i LDK-së, por edhe partive tjera, ishte se nuk ka rëndësi forma e shkuarjes në zgjedhje, meqë pasoja juridike si e mocionit të mosbesimit, ashtu edhe e shpërndarjes së Kuvendit, ishte e njëjta. Pra, sot kanë ndryshuar qëndrimet e disa partive për shkuarjen në zgjedhje. Por, s’ka ndryshuar kërkesa as praktika e mospërmbylljes së mandatit të rregullt kushtetues”, ka shkruar Cakolli.