Dua Lipa ka folur për herë të parë më gjerësisht për ditën e saj të dasmës me aktorin britanik Callum Turner, duke e përshkruar ceremoninë si një moment “magjik”.
Këngëtarja 31-vjeçare dhe aktori 36-vjeçar i dhanë fund beqarisë në një ceremoni luksoze në Palermo të Sicilisë, në qershor. Dua veshi një fustan nga Chanel, ndërsa Turner zgjodhi një kostum nga Louis Vuitton.
Duke folur për Vogue Italia, Dua tregoi se, pavarësisht këshillave të shumta që morën për dasmën, ata vendosën të ndiqnin vetëm dy prej tyre: ta përjetonin ditën sikur të ishin vetë të ftuar dhe të gjenin vazhdimisht njëri-tjetrin mes turmës, shkruan Mirror.
“Dita jonë e dasmës ishte magjike. Kështu krijuam kaq shumë kujtime së bashku”, tha ajo.
Këngëtarja foli edhe për mënyrën se si arrin të balancojë karrierën, jetën private dhe familjen. Ajo tha se është me fat që ka në krah një person që e kupton ambicien dhe ritmin e saj të punës.
Çifti u fejua në dhjetor të vitit 2024, rreth një vit pasi nisën lidhjen, ndërsa dasmën e shtynë për shkak të angazhimeve të tyre profesionale. Dua ishte në mes të turneut të saj të madh Radical Optimism, ndërsa Callum ishte i angazhuar me xhirimet e një filmi.






