Ka ndërruar jetë Ali Ahmeti, përfaqësues i Lëvizjes Studentore ’97 për Mitrovicë. Njoftimi për vdekjen e Ali Ahmetit e kanë bërë me dije familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Ali Ahmetit.
Lajmi për vdekjen e Ahmeti ka prekur të gjithë miqtë e tij, sidomos liderët e Lëvizjes Studentore.
Lideri i Lëvizjes Studentore ‘97, Muhamet Mavraj, ka thënë se Ahmeti ka qenë person entuziast dhe luftëtar i lirisë. Mavraj ka thënë se emri i Aliut meriton respekt të thellë, jo vetëm nga qytetarët e Mitrovicës.
“Frymën ma këpute, Ali Ahmeti. Të prisja për kafe në Prishtinë, siç e lamë. Aliu është veprimtar studentor i 97-s në Mitrovicë, shumë entuziast, dhe luftëtar i lirisë. Shumë shok! Fort shok! Sivjet u përball me dinjitet e optimizëm epik me sëmundjen, por iu bënë dy dhe e paskan mposhtur në Gjermani. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së ngushtë, bashkëshortes e fëmijëve, vëllazërisë e motërisë, farefisit, mbarë shoqërisë dhe mbare bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve! Emri i Aliut meriton respekt të thelle jo vetëm nga qyteti i Mitrovicës! E pifshim në parajsë atë kafe që na mbeti peng, i dashur Ali!”, ka shkruar Muhamet Mavraj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndërsa lideri tjetër i Lëvizjes Studentore ’97, Bujar Dugolli, ka thënë se Ali Ahmeti ka qenë njeri i pathyeshëm dhe organizator i shquar i protestave studentore.
“Sot morëm lajmin për ndarjen nga jeta të shokut të çmuar e të dashur, Ali Ahmeti. Aliun e kam njohur që nga koha e Lëvizjes Studentore 97’ dhe ashtu do ta kujtojë përherë, si një burrë të vendosur, si shok besnik, patriot e atdhetar të dalluar. Ai ishte i pathyeshëm, si organizator i demonstratave studentore me 1 tetor 1997 në Mitrovicë, të cilat i organizonte atje. Ai ishte shembull i një aktivisti të madh e të përkushtuar në punë e me sjellje shembull për të gjithë ne. Ndarja nga jeta në moshë kaq të re e Aliut, është humbje për familjen e nderuar Ahmeti, që ka dhënë kontribut të madh në luftën çlirimtare, është humbje për bashkëpunëtorët e tij, por edhe për të gjithë ne që në etapa të caktuara kohore e njohëm dhe mbajtëm të pashuar respektin për të. I përjetshëm do të jetë kujtimi për shokun tonë Ali Ahmeti”, ka shkruar Bujar Dugolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Në anën tjetër, Driton Lajçi, lider i Lëvizjes Studentore ’97, ka thënë se Ali Ahmeti do t’i mungojë të gjithë shoqërisë. “Do na mungoj Ali Ahmeti. Ngushëllime Muhamet dhe gjithë shoqërisë”, ka shkruar Lajçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Për vdekjen e Ali Ahmetit, ka reaguar edhe drejtoresha për Kulturë në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi.
“Miq të dashur, më shumë dhimbje po e ndaj me ju një lajm të kobshëm. Miku jonë, Ali Ahmeti na la sot, pas një beteje me sëmundjen e rëndë që e kishte kapluar muaj më parë. Aliu ishte i buzëqeshur, i qetë e me plot shpresë se do ta tejkalonte këtë sfidë të rëndë. Folëm gjatë atë ditë, për jetën, familjen, për të ardhmen, pa e ditur se do të ishte biseda jonë e fundit! Çfarë humbje e madhe për familjen, për miqtë, për qytetin e tërë vendin. Ishte njeri i mirë, profesionist i zoti, qytetar e familjar shembullor. Ishte aktivist e luftëtar në kohërat më të vështira, e edhe në ato më të mira. Unë e kisha mik për më shumë se tri dekada. E kisha vëlla. Ngushëllime familjes së gjerë Ahmeti e Haliti, miqve e të gjithëve. Shpirti i tij pushoftë i qetë në paqe!”, ka shkruar Idrizi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Po ashtu, për vdekjen e Aliut, ka reaguar edhe miku i tij, Muhamet Selmani. Ai ka thënë se do t’i mungojnë bisedat dhe buzëqeshjet me Aliun. “Do na mungojnë bisedat, buzëqeshjet e inspirimi yt, Ali”, ka shkruar Selmani në llogarinë e vet në “Facebook”