Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se për rastin e vrasjes së imamit të fshatit Zlipotok Komuna e Dragashit, përveç ndalimit për 48 orë të të dyshuarit B.H, është ndaluar edhe babai i tij, për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës”.
Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje penale, thuhet nga Prokuroria.
“I dyshuari B.H., pas kryerjes së veprës penale, fillimisht ishte në arrati, mirëpo si rezultat i veprimeve intensive operativo-hetimore të Policisë së Kosovës është lokalizuar dhe arrestuar.Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, është ndaluar për 48 orë edhe babai i tij, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.






