Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet e sigurisë të Kosovës, më datat 5 dhe 6 prill 2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të cilët udhëtonin në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla,
Sipas ministrit Sveçla, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim “mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.”
Hetimet paraprake, sipas ministrit, kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi”.”
“Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe.” – shtoi Sveçla.
Strehimi i tyre në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë, sipas Sveçlës, “mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira.”