Dy ekipe mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po i nënshtrohen procesit të validimit sipas standardeve të NATO-s.
Procesi po realizohet nga Qendra e Ekselencës së NATO-s për Mjekësinë Ushtarake dhe synon vlerësimin e kapaciteteve mjekësore të nivelit Role 1, si dhe përmbushjen e kërkesave profesionale dhe operacionale të Aleancës Veriatlantike.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff, vizituan ekipet që po kalojnë këtë proces.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë vizitës delegacioni u informua për ecurinë e validimit, përgatitjet profesionale dhe kapacitetet operacionale të personelit mjekësor.
Validimi i kapaciteteve Role 1 përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve mjekësore ushtarake, duke synuar ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e aftësive për ofrimin e kujdesit fillestar shëndetësor në operacione ushtarake.
Ky nivel i mbështetjes mjekësore përfshin ndihmën e parë, trajtimin fillestar të të lënduarve dhe stabilizimin e tyre përpara evakuimit drejt strukturave më të avancuara shëndetësore.
Ministria e Mbrojtjes thekson se procesi dëshmon përkushtimin e FSK-së për zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve, rritjen e ndërveprueshmërisë me forcat e vendeve aleate dhe avancimin drejt standardeve të NATO-s.






