Napolit i shkon oferta e parë për De Bruynen, nga një klub befasues

- Advertisement -

Thashethemet për një rikthim të mundshëm të Kevin De Bruyne në Premierligë janë shtuar ditëve të fundit, por tashmë ka dalë në skenë një tjetër klub që synon transferimin e tij.

Mesfushori i Napolit nuk ka kaluar një periudhë të lumtur në Itali, ku karriera e tij është penguar nga lëndimet e shumta dhe përplasjet me ish-trajnerin Antonio Conte.

Partnerja e tij kishte deklaruar më herët se familja De Bruyne preferonte një rikthim në Belgjikë, por tashmë është shfaqur edhe një alternativë tjetër.

Pas vetëm 18 muajsh te Napoli, duket se aventura e Kevin De Bruyne në jug të Italisë po shkon drejt fundit.

Belgu iu bashkua Napolit kur skuadra drejtohej nga Antonio Conte, por pas largimit të trajnerit, ai kritikoi mënyrën se si italiani e kishte përdorur gjatë kohës së tyre së bashku.

“Natyrisht, ishte e vështirë për mua, sepse Conte ka një vizion shumë të ndryshëm të futbollit nga imi. Në të vërtetë, nuk pata asnjëherë mundësinë të luaja në pozitën që preferoja. Sidoqoftë, gjithmonë jam munduar të jap maksimumin për ekipin”, deklaroi ai për “Het Nieuwsblad”.

Megjithatë, situata nuk u përmirësua as pas largimit të Contes. Së fundmi u bë e ditur se mesfushori belg ishte i hapur për një rikthim në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa përfaqësuesit e tij kishin kontaktuar me Brentfordin, Fulhamin dhe Crystal Palace për të shqyrtuar mundësinë e transferimit.

Por, tashmë duket se De Bruyne mund ta gjejë skuadrën e tij të ardhshme shumë më afër vendlindjes.

Sipas një raportimi të “The Telegraaf” në Holandë, PSV Eindhoven ka paraqitur ofertën e parë zyrtare te Napoli, me synimin për ta siguruar transferimin e belgut në afatin kalimtar të janarit.

Oferta besohet të jetë rreth 1.6 milionë funte, ndërsa kontrata e De Bruyne me klubin italian përfundon pas gjashtë muajsh.

Pakënaqësitë te Napoli janë shtuar vazhdimisht për shkak të paraqitjeve jo të mira dhe lëndimeve të De Bruyne që nga transferimi i tij nga Manchester City. Megjithatë, situata është përkeqësuar edhe më shumë pas një interviste të fundit të partneres së futbollistit, Michele Lacroix.

“Në Manchester, njerëzit ishin mësuar me Kevinin dhe pothuajse nuk e vërenin më”, deklaroi ajo.

“Por Napoli është ndryshe. I themi njëri-tjetrit se sa më shpejt të largohemi, aq më mirë. Kevini nuk po kënaqet.

“Ne mendojmë së bashku për të ardhmen dhe gjithnjë e më shpesh i themi njëri-tjetrit se do të shkojmë të jetojmë në Limburg.

“Kevini bën një jetë shumë të kufizuar në Napoli. Nuk është aspak argëtuese për të. Përveç kësaj, nuk mund të bëjmë asgjë së bashku si familje në qytet. Kjo është ana tjetër e medaljes, apo jo?

“Në Manchester ishte ndryshe. Në vendin ku jetonim, njerëzit na kishin parë aq shpesh saqë prania jonë nuk ishte më diçka e veçantë. Mund të dilnim nga shtëpia pa na fotografuar askush. Në Napoli kjo është e pamundur”.

Deklaratat jo fort pozitive të Lacroix kanë nxitur reagime të shumta nga tifozët e Napolit, të cilët kanë vërshuar me kritika në rrjetet sociale të De Bruyne, duke kërkuar që ai dhe familja e tij të largohen nga klubi italian.

Zona e Limburgut, të cilën e përmendi Lacroix, ndodhet jo shumë larg Eindhovenit, duke e bërë PSV-në një destinacion mjaft tërheqës për De Bruyne.

PSV e fitoi titullin e kampionit në Eredivisie sezonin e kaluar, ndërsa aktualisht kryeson edhe renditjen e këtij edicioni, me një pikë më shumë se Feyenoord dhe Ajax.

Të ngjashme

Të fundit