Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arberie Nagavci, ka folur për projektligjin për Gjykatën Speciale, i cili pas rikthimit nga presidentja për rishqyrtim në Kuvend, ka nxitur diskutime të reja politike.
Në një intervistë në emisionin “Ditari”, Nagavci ka thënë se Qeveria e ka përmbushur obligimin formal për të dhënë opinionin e saj lidhur me projektligjin, i cili, sipas saj, është shqyrtuar edhe në komisionin funksional.
Ajo ka theksuar se LVV-ja i ka bërë të qarta rezervat e saj për këtë projektligj, duke vlerësuar se çështjet që ai synon të trajtojë lidhen me obligimet ndërkombëtare të Kosovës, të marra në kohën e ish-presidentes Atifete Jahjaga, si dhe me ndryshimet kushtetuese që janë bërë në atë periudhë.
“Qeveria ka pasur obligim formal që ta japë opinionin e vet për projektligjin dhe i njëjti është shqyrtuar edhe në komisionin funksional. Sa i përket qëndrimit të LVV-së, besoj se ju, por edhe qytetarët, tashmë e dini se ne kemi treguar se ku janë rezervat tona lidhur me këtë projektligj. Kjo ka të bëjë pikërisht me obligimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë në kohën e ish-presidentes Jahjaga, por edhe me ndryshimet që kanë ndodhur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pikërisht në institucionet e asaj kohe, ku është paraparë edhe amendamentimi i Kushtetutës, duke krijuar sfidat dhe rezervat me të cilat po përballemi tani”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka rikujtuar se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Speciale ka qenë i njëjtë që nga koha kur ishte iniciuar themelimi i Dhomave të Specializuara, duke përsëritur se kjo parti kishte qenë kundër krijimit të saj.
Sipas Nagavcit, mënyra se si po trajtohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjegjësitë që lidhen me luftën për liri dhe pavarësi janë të gabuara. Ajo ka vlerësuar se, sipas qëndrimit të LVV-së, Gjykata Speciale ka një qasje të njëanshme, pasi trajton kryesisht vetëm njërën palë të konfliktit.
“Qëndrimi ynë është se mënyra se si po trajtohen ish-krerët e UÇK-së, përgjegjësitë dhe betejat tona për liri dhe pavarësi, është e gabuar. Ne kemi qenë kundër Gjykatës Speciale që në atë kohë dhe vazhdojmë të besojmë se mënyra se si është themeluar kjo gjykatë, e cila trajton vetëm njërën anë të konfliktit, në shumicën e rasteve, është e padrejtë. Në anën tjetër, edhe sa i përket këtij ligji specifik, qëndrimin tonë e kemi bërë të qartë në biseda formale dhe joformale me deputetët e PDK-së dhe me iniciuesit e këtij projektligji”, ka thënë ajo.
Nagavci ka folur edhe për arsyet e rezervave të LVV-së ndaj nismës së PDK-së, duke theksuar se një projektligj nuk mund të ndryshojë Kushtetutën dhe as obligimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë më herët.
Ajo ka thënë se ende nuk e ka të qartë se cili ka qenë synimi i PDK-së me këtë projektligj, duke vënë në pikëpyetje edhe ndryshimet e propozuara dhe arsyetimet e dhëna për to.
“Rezervat tona kanë qenë se me një projektligj nuk mund të ndryshohet Kushtetuta dhe as obligimet ndërkombëtare që janë arritur një dekadë më parë. Të them të drejtën, ende nuk e kam kuptuar se çfarë ka synuar PDK-ja me këtë projektligj. Edhe në kohën kur filluan kërkesat, dolën ndryshime të projektligjit, ndërsa arsyetimet për ndryshimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi kanë qenë sipërfaqësore dhe jo të kuptueshme”, është shprehur Nagavci.
Ajo ka lënë të kuptohet se brenda PDK-së mund të ketë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me këtë nismë, duke përmendur edhe dallimet mes deputetëve që e kanë mbështetur projektligjin dhe atyre që kanë kërkuar ndryshime.
“Ndryshe, unë e shoh këtë si një bindje të grupeve të ndryshme brenda PDK-së, sepse kemi parë që ai që e ka mbështetur këtë projektligj dhe e ka mbajtur barrën e tij ka qenë deputeti Gruda, ndërkohë që deputetë të tjerë kanë dalë me kërkesa për ndryshimin e ligjit. Nuk e di nëse është kalkulim, ndryshim i bindjeve të tyre, nxitim apo ndonjë tendencë për të thënë se po bëjmë diçka për gabimet dhe dëmet që janë bërë në të kaluarën. Por është e qartë se kjo nuk do të sjellë ndonjë rezultat”, ka përfunduar Nagavci






