Çmimet e naftës janë në rritje pasi Shtetet e Bashkuara zhvilluan natën e 11-të radhazi të sulmeve ndaj objektivave ushtarake iraniane, ndërsa rebelët Huthi në Jemen kërcënuan të ndërpresin një rrugë alternative me rëndësi jetike për eksportet saudite të naftës, shkruan CNN.
Nafta Brent, standardi global i referencës, u rrit me 3.7%, në 94.40 dollarë për fuçi, pak para orës 05:00 sipas kohës lindore të SHBA-së. West Texas Intermediate (WTI), standardi amerikan i naftës, u rrit me 4%, në 87.71 dollarë për fuçi.
“Lëvizjet e fundit të çmimeve të naftës vijnë në një kohë kur sulmet mes SHBA-së dhe Iranit nuk tregojnë shenja zbutjeje dhe ende nuk ka shenja konkrete të një marrëveshjeje paqeje”, shkruan analistët e Deutsche Bank në një raport.
Çmimet e naftës së papërpunuar janë rritur me rreth 20 dollarë për fuçi gjatë këtij muaji, ndërsa luftimet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish. Sipas Deutsche Bank, kontratat futures të naftës Brent për dorëzim pas gjashtë muajsh arritën dje nivelin më të lartë të një muaji, ndërsa janë rikthyer frikërat për një ndërprerje të zgjatur të furnizimit.
Shqetësimeve u shtohet edhe fakti se Huthitë e mbështetur nga Irani kanë kërcënuar se do të sulmojnë anijet saudite që përpiqen të kalojnë nëpër Detin e Kuq, duke vënë në rrezik atë që është bërë një rrugë alternative me rëndësi jetike ndaj Ngushticës së Hormuzit për eksportet e naftës së Arabisë Saudite.
Arabia Saudite ka devijuar rreth 4 deri në 5 milionë fuçi naftë në ditë nga Hormuzi drejt portit të saj në Yanbu, sipas Helima Croft, drejtuese e strategjisë globale në RBC Capital Markets. Kjo përfaqëson afërsisht një të katërtën e sasisë së naftës që kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit para luftës.
“Nëse kjo rrugë bëhet e papërdorshme, atëherë ndërprerja e furnizimit me naftë bëhet shumë më serioze dhe ne fillojmë të flasim sërish për një situatë pa asnjë rrugëdalje”, tha Croft.






