21.3 C
New York
Saturday, May 3, 2025

Buy now

Mustafa: Rënia e lirisë së mediave, pasojë e qeverisë Kurti dhe një pjese të vetë mediave

- Advertisement -

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me rënien e Kosovës për 24 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, duke e konsideruar këtë si një shqetësim të drejtë dhe të justifikuar që, sipas tij, i adresohet Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Përmes një postimi ne facebook, Mustafa theksoi se “Qeveria Kurti, e cila nuk do të vinte në pushtet pa mbështetjen e një pjese të mediave – shpesh përtej kritereve profesionale dhe etike – tani po kontribuon në dëmtimin e fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.”

Ai shtoi se qytetarët votuan jo mbi bazën e rezultateve konkrete, por për shkak të perceptimeve të krijuara nga media: “Ata që morën mbi 50% të votave nuk kishin ndërtuar asnjë fabrikë, rrugë apo shkollë dhe nuk kishin sjellë asnjë njohje të re ndërkombëtare.”

Mustafa kritikoi edhe disa media për ndryshim të qëndrimeve në zgjedhje, duke kaluar në përkrahje të partive si LDK, PDK dhe AAK, jo për arsye parimore, por nga frika ndaj asaj që ai e cilësoi si “regjim autoritar i VV-së.”

Ai përfundoi se liria e mediave është dëmtuar jo vetëm nga pushteti, por edhe nga vetë mediat që, sipas tij, kanë zëvendësuar profesionalizmin me “sindromin e adhurueseve politikë”, ndërsa pasojat i bart Kosova.

Postimi i plotë:

i konsideroj të drejta reagimet me brengosjen lidhur me rënien e indeksit të lirisë së mediave për 24 vende (nga vendi 75 në atë 99), të cilat i adresohen Qeverisë Kurti e cila, dorën në zemër, nuk do të vinte në pushtet pa përkrahjen dhe lobimin e shumë mediave, herë herë jashtë çdo kriteri etik dhe profesional. Qytetarët votuan, për perceptimin që ua plasuan dhe krijuan mediat. Jo për rezultatet, sepse ata që fituan mbi 50 për qind të votave e që akoma janë në pushtet, s’kishin ndërtuar asnjë fabrikë, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’kishin sjellë asnjë njohje ndërkombëtare, s’e kishin çliruar Kosovën as me luftë e as me politikë paqësore, veçse kishin ushtruar kundërshtime me dhunë.
Me të njëjtat shprehi edhe në këto zgjedhje disa nga mediat i ndruan tribunat. Tani përkrahën LDK-në, PDK-në, AAK-në, jo se i kishin dashur ndonjëherë, sidomos LDK-në, por se iu hyri frika nga regjimi autoritar i VV-së. Konsideroj se pak më shumë sjellje profesionale dhe përgjegjësi për fjalën e lirë do të bëjë punë që mediat të evitojnë lopatat e politikës. Prandaj nuk hezitoj të them se jo vetëm pushteti i Kurtit e ka dëmtuar fjalën e lirë dhe demokracinë, por ia kanë ndihmuar edhe vet mediatë veçanta kur profesionalizmin e kanë zëvendësuar me sindromin e adhurueseve politik. Pasojat i bartë Kosova.
IM

Të ngjashme

Të fundit