Vazhdimi i sotëm i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, u ndërpre pasi nuk u arrit pajtueshmëri për mënyrën e votimit për nënkryetarët.
Ndonëse Albulena Haxhiu mori votat e nevojshme për ta drejtuar edhe një herë Kuvendin, një deklaratë e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, bëri që të ketë mospajtime të mëdha.
“Në emër të popullit serb…, propozojmë zotëri Sllavko Simiqin si kandidat për nënkryetar të Kuvendit”, ishte deklarata e Simiqit që shkaktoi reagime.
Por, një deklaratë të ngjashme, Simiqi e kishte bërë edhe më 2021, më saktësisht më 22 mars, kur po votohej për konstituimin e Kuvendit të atëhershëm.
“Në emër të Listës Serbe, për nënkryetar të Kuvendit, përpara popullit serb, propozojmë zotëri Sllavko Simiqin”, shprehej asokohe deputeti i LS-së, Igor Simiq.
Ishte deputetja e koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Donika Gërvalla, ajo që doli e para me një reagim publik në lidhje me deklarimin e Simiqit.
“Propozimi i Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit është skandaloz dhe i papranueshëm. Nuk ka popull serb në Kosovë, veç komunitet serb. Populli serb zgjedhjet i ka në Serbi, më 25 tetor”, u shpreh ministrja në detyrë e Drejtësisë.
Pas saj, reagime pati edhe nga deputetë e eksponentë tjerë të LVV-së, të cilët njëjtë e konsideruan deklaratën e Simiqit si skandaloze dhe jokushtetuese.
Për këtë, kryetarja Haxhiu kërkoi 30 minuta pauzë, teksa tha se do të diskutonte këtë çështje, por edhe çështje tjera që lidhen me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, me shefat e grupeve parlamentare.
Pas kthimit, që zgjati më shumë se gjysmë ore, Haxhiu kërkoi nga Simiqi ta tërhiqte deklaratën duke i thënë se deklarimi i tij është kundërkushtetues, por që një gjë e tillë nuk ndodhi.
“E kuptoj lojën që e luani”, nisi fjalën e tij Simiqi, duke lexuar një nen të Gjykatës Kushtetuese, por që këtu ndërhyri kryeparlamentarja, duke i kërkuar edhe një herë që ta tërheq fjalën.
Megjithatë, i njëjti nuk e bëri një gjë të tillë, duke insistuar se “unë jam pjesëtar i popullit serb dhe këtë të drejtë nuk do të ma hiqni”, teksa vazhdoi sërish të citojë Kushtetutën e Kosovës.
Edhe kësaj here, Haxhiu ia ndërpreu fjalën.
“Më lejoni që t’i referohem një takimi me përfaqësuesit e subjekteve politike. Në atë takim nuk pati dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetarë të Kuvendit. Nga ai takim, siç unë e kuptova, ishte e qartë se as propozimi i GP të PDK-së, që ishte zonja Vlora Çitaku, dhe në anën tjetër, as propozimi i LDK-së, që ishte zotëri Kujtim Shala, sikurse edhe zonja Nagavci ngriti shqetësimet e njëjta me deklarimet e deputetit Simiq, që janë jokushtetuese, është e qartë se nuk ka vota për propozimet e tyre për t’u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit”.
“Si rrjedhojë, seanca konstituive i vazhdon punimet të premten në orën 11:00”, u shpreh Haxhiu.






