Musliu njofton se ka dështuar ceremonia e diplomimit të 300 policëve të rinj, shkak mungesa e uniformave

- Advertisement -

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar lidhur me mosmbajtjen e planifikuar të ceremonisë së diplomimit të rreth 300 policëve të rinj, duke pretenduar se shkak është mungesa e uniformave.

Ajo e ka cilësuar këtë situatë si dështim institucional dhe papërgjegjësi të qeverisë, duke kërkuar llogaridhënie politike për mosrealizimin e një obligimi që e konsideron elementar ndaj Policisë së Kosovës.

Reagimi i saj i plotë:

300 POLICË PA UNIFORMA!

KJO ËSHTË FYTYRA E PAPËRGJEGJËSISË SË KËSAJ QEVERISJEJE!

Nesër ishte planifikuar të mbahej ceremonia e diplomimit të rreth 300 policëve të rinj, por mungesa e uniformave po e pamundëson mbajtjen e saj.

Paramendojeni këtë absurditet: 300 policë janë gati të diplomojnë, por shteti nuk arrin t’ua sigurojë as uniformat!

Kësaj i thonë paaftësi organizative, dështim institucional dhe dëshmi e një qeverisjeje që nuk arrin t’i kryejë as obligimet më elementare ndaj institucioneve të sigurisë.

Për çfarë planifikimi flasim? Për çfarë menaxhimi flasim? Dhe, mbi të gjitha, ku është përgjegjësia politike për këtë dështim?

Qeveria nuk mund të fshihet pas procedurave, arsyetimeve administrative apo heshtjes institucionale. Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, uniforma nuk është luks, por domosdoshmëri.

Është e papranueshme që 300 të rinj, të cilët kanë përfunduar rrugëtimin e tyre të përgatitjes për t’i shërbyer vendit, të përballen me një situatë të tillë për shkak të dështimit të institucioneve për t’i pajisur me uniforma.

Mjaft më me propagandë kur realiteti përballet me dështime të tilla! Siguria e vendit nuk mbrohet me deklarata, por me punë, përgjegjësi dhe institucione funksionale.

Qeveria duhet të japë llogari. Qytetarët meritojnë institucione që funksionojnë, ndërsa policët tanë meritojnë respekt dhe kushte dinjitoze për të shërbyer.

Dështimi për t’i pajisur 300 policë me uniforma nuk është vetëm dështim institucional, por edhe dekurajim për gjeneratën e re që dëshiron t’i shërbejë vendit me nder.

Të ngjashme

Të fundit