Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, duke kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën e trajtimit të këtij rasti, shkruan Scanner.
Musliu ka thënë se kryeministri Albin Kurti u përpoq ta qetësonte opinionin publik përmes afateve të ashpra dhe deklaratave për seriozitet institucional, por sipas saj, kjo përfundoi me atë që e cilësoi si “cirk qeveritar”, duke iu referuar konferencës së ministres Donika Gërvalla dhe ministrit Xhelal Sveçla.
Ajo ka theksuar se Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë, kishte denoncuar dhunën dhe kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.
Në reagimin e saj, Musliu ka kërkuar përgjegjësi institucionale, duke vlerësuar se dorëheqja e zyrtarëve përgjegjës tashmë është e pashmangshme.
“Dorëheqja nuk është më çështje zgjedhjeje, por përgjegjësie të pashmangshme!”, ka shkruar Musliu.
Postimi i plotë:
Albin Kurti u mundua ta blejë qetësinë publike me afate të ashpra dhe deklarata për seriozitet institucional. Por, krejt ajo ashpërsi dhe gjithë ai seriozitet i shpallur përfunduan në një cirk qeveritar: konferencën Gërvalla–Sveçla!
Rasti i Arlinda Zekajt nuk ka nevojë për konferenca e sqarime. Ajo vetë i kishte bërë të gjitha të qarta. Kishte kërkuar ndihmë, kishte denoncuar dhunën dhe kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.
Sot nuk duhen konferenca për të arsyetuar mosveprimin, por përgjegjësi për të!
Dorëheqja nuk është më çështje zgjedhjeje, por përgjegjësie të pashmangshme!






