Mushkolaj për Sejdiun: Një ish-gjyqtar i Kushtetueses të bëhej pjesë e kësaj loje, nuk e kisha pritur

- Advertisement -

Analisti Imer Mushkolaj ka kritikuar vendimin e Bekim Sejdiut për të pranuar kandidaturën për President të Kosovës, duke pasur parasysh situatën institucionale dhe kushtetuese në të cilën ndodhet vendi.

Mushkolaj ka thënë se Sejdiu ishte prezantuar si kandidat i përbashkët i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës më 6 gusht, në një kohë kur, sipas tij, situata ishte e paqartë dhe me probleme kushtetuese.

“Bekim Sejdiu ka dalë si emër i përbashkët i LVV-së dhe LDK-së më 6 gusht. Në situatën që ka qenë e paqartë, situatë antikushtetuese, Bekim Sejdiu, si atëherë, si ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, është një prej njerëzve të fundit që kisha pritur me u bërë kandidat në një situatë të tillë”, ka thënë Mushkolaj, në emisionin “Debat Plus”.

Ai ka theksuar se, edhe pse Gjykata Kushtetuese ende nuk kishte marrë një vendim, nga Sejdiu kishte pritur një qëndrim të qartë si jurist për ligjshmërinë e procesit.

“Pa marrë parasysh që Gjykata Kushtetuese nuk ka vendim, prej Bekim Sejdiut kam pritur një deklaratë si jurist, me na thënë: me këtë situatë unë pranova të bëhem kandidat, që është në rregull ose nuk është në rregull”, ka deklaruar ai.

Sipas Mushkolajt, Sejdiu e ka pranuar kandidaturën me vetëdije të plotë, në një kohë kur çështja tashmë ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Bekim Sejdiu me vetëdije të plotë ka pranuar të bëhet kandidat në një situatë që tashmë është në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka shtuar se paqartësia kushtetuese, sipas tij, e kishte vendosur procesin në një situatë jokushtetuese.

“Paqartësia kushtetuese është në një situatë jokushtetuese. Kisha pritur gjithkënd, Feride Rushitin e të tjerë, por një ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese me u bërë pjesë e lojës së kësaj situate, nuk e kisha pritur”, ka përfunduar Mushkolaj.

 

Të ngjashme

Të fundit