Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se pas tejkalimit të stuhisë të krizave globale dhe stabilizimit të çmimeve, tani gradualisht po i kthehemi potencialisht dhe rritjes së synuar ekonomike.
Këtë deklarim Murati e bëri pasi tha se ASK-ja ka njoftuar se rritja ekonomike në tre mujorin e parë të 2024 ka përshpejtuar edhe më tutje ritmin duke shënuar nivelin e ngritjes në 5.62 për qind dukshëm më lartë se tremujori paraprak që ishte 3.96%.
“Pas tejkalimit të stuhisë së krizave globale, dhe stabilizimit të çmimeve, tani gradualisht po i kthehemi potencialit dhe rritjes së synuar. Kjo demanton të gjithë zërat skeptikë dhe prognozat e zymta që me çdo kusht mundoheshin ta lidhnin liberalizimin e vizave me skenare apokaliptike në fillim të vitit. Siç edhe po shihet, liberalizimi i vizave është prej gjërave më të mira që ka ndodhur së fundmi për ekonominë e vendit”, tha ministri Murati.
Ai shtoi se përveç lehtësimit të udhëtimit për të vizituar familjarët në mërgatë, tani edhe bizneset e ndërmarrësit e kanë shumë më të lehtë të gjejnë tregje të reja e të rrisin aktivitetin biznesor.
“Në një nga udhëtimet që kisha së fundmi, kisha rastin të takoj dy të rinj që punonin në fushën e marketingut dhe dizajnit digjital, të cilët po ktheheshin nga një takim që kishin pasur me një klient në Valencia të Spanjës. Diçka vështirë e imangjinueshme para se të hiqeshin vizat.