Ministri i Financave, Hekuran Murati ka kërkuar nga deputetët e partive opozitare që të qëndrojnë në seancën për zgjedhjen e presidentit të ri.
Murati tha se Vetëvendosje ka qenë gjithmonë e gatshme, por vullneti i njëjtë nuk ishte nga partitë e tjera politike.
“Ne në të gjitha rastet kemi qenë të hapur për diskutime, mirëpo u takon deputetëve të partive tjera parlamentare që të sigurojnë që të qëndrojnë në sallë kur votohet për president, kjo është problemi. Siç e dini herën e kaluar vendi shkoj në zgjedhje sepse opozita e bojkotoi votimin për president”, tha Murati.
I pyetur se pse nuk është në rend të ditës sot në mbledhjen e qeverise si pikë projektligjit për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Murati tha se të gjitha projektligjet duhet të shqyrtohen para se të procedohen.
“Si të gjitha projektligjet tjera duhet kohë për ta shqyrtuar e trajtuar. Janë ministritë e linjës që e shqyrtojnë, japin opinion dhe pastaj procedohet”, tha Murati.
Në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor.






