Pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, vëmendja tashmë është kthyer te procedura e ankesave dhe hapat që pasojnë në procesin gjyqësor.
Avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për Gazeta Blic, ka shpjeguar procedurën që parashihet me legjislacionin sipas të cilit funksionojnë Dhomat e Specializuara, duke bërë të ditur se palët kanë afate të përcaktuara për paraqitjen e ankesave dhe kundërargumenteve.
Sipas Bajraktarit, nga momenti kur palët pranojnë aktgjykimin, fillon të rrjedhë afati prej 30 ditësh, brenda të cilit pala e pakënaqur duhet ta njoftojë gjykatën se do të parashtrojë ankesë dhe të paraqesë arsyet për këtë.“Referuar legjislacionit sipas të cilit funksionojnë Dhomat e Specializuara, nga momenti kur palët pranojnë aktgjykimin, fillon të rrjedhë afati prej 30 ditësh, brenda të cilit pala e pakënaqur njofton gjykatën se do të parashtrojë ankesë dhe paraqet arsyet e saj. Më pas, brenda 60 ditësh nga pranimi i vendimit, ankesa konkretizohet dhe dorëzohet së bashku me dosjen e plotë”, ka shpjeguar Bajraktari.
Pas dorëzimit të ankesës, pala kundërshtare ka 30 ditë në dispozicion për të paraqitur kundërargumentet, ndërsa pala ankuese ka edhe 15 ditë për të dhënë kundërpërgjigjen e saj.“Kjo i dërgohet palës kundërshtare, e cila ka 30 ditë për të paraqitur kundërargumentet, ndërsa pala ankuese ka edhe 15 ditë për kundërpërgjigje”, deklaroi avokati.
Në këtë procedurë, palët mund të paraqesin edhe prova shtesë, por, sipas Bajraktarit, ato duhet të specifikojnë pretendimet që lidhen me kundërshtimin e aktgjykimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.“Palët mund të paraqesin edhe prova shtesë, por duhet të specifikojnë pretendimet që lidhen me kundërshtimin e aktgjykimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Pas pranimit të njoftimit për apel, caktohet Paneli i Gjykatës së Apelit dhe një gjykatës raportues përgjegjës për procedurën paraapeluese”, tha Bajraktari.
Duke pasur parasysh kompleksitetin dhe vëllimin e materialeve të këtij rasti, Bajraktari vlerëson se procedura e plotë e apelimit mund të zgjasë rreth dy vjet.“Paneli i Apelit mund ta lërë në fuqi, ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë, përfshirë edhe lirimin nga akuzat, si dhe mund ta kthejë rastin në rigjykim. Duke qenë se rasti është kompleks dhe voluminoz, pres që i gjithë ky proces të zgjasë rreth dy vjet”, përfundoi Bajraktari.
Më 16 shtator trupi gjykues shpalli fajtorë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13./Gazeta Blic






